artet skenike

“Tri mendje në ankand”, në skenën e Vlorës

115f3fa1-cb25-44b5-87f9-93e69b06f3a2-0

Teatri i Metropolit këtë sezon artistik ka në vëmendje të tij dramaturgjinë shqiptare. Ashtu si dhe një vit më parë, edhe këtë sezon artistik, dramaturgjia shqipe ka gjetur jo pak vëmendje në këtë teatër. Pas suksesit me komedinë “14 vjeç dhëndër” regjisorja Elma Doresi këtë sezon artistik ka nisur punën për një tjetër vepër që i takon autorëve shqiptarë. Drama satirë  “Tri mendje në ankand” e autorit të njohur Ferdinand Hysi do të jetë premiera e radhës në skenën teatrore të Metropolit. Regjisorja Elma Doresi prej disa ditësh ka nisur punën për këtë vepër, ndërsa bëhet e ditur se një pjesë e aktorëve të komedisë bazuar mbi motivet e Çajupit “14 vjeç dhëndër” si Devis Muka, Klodian Hoxha, etj, nuk do të mungojnë dhe në këtë vepër teatrore. Edhe pse shumë detaje të kësaj drame satirë që do të vijë premierë në Tiranë nuk zbulohen shumë, edhe për këtë vepër regjisorja Elma Doresi është angazhuar jo pak. Autori i dramës satirë Ferdinand Hysi tregon se të rinjtë e teatrit po punojnë për ta sjellë atë më së miri në skenë para publikut. Në këtë vepër që është shkruar në vitin 1994, janë gjashtë personazhe, dhe sipas dramaturgut kjo vepër qëndron në të gjitha kohët. Autori i dramës tregon se gjithçka është e ndërtuar në simbolikë, por ka dhe një mesazh shumë të rëndësishëm. “Në vepër janë gjoja tre të çmendur, dhe mendimet e tyre që janë majtas, djathtas dhe në qendër. Kemi biseduar dhe me regjisoren Elma Doresi, pasi mund të ketë dhe disa ndryshime, por shikoj që po bëhet një punë shumë serioze për këtë vepër që të vijë në skenë”, tregon dramaturgu për veprën që pritet të jetë në skenë në muajin prill. Kjo vepër është përzgjedhur mes 120 dramave më të mira të Europës, duke i dhënë jo pak vlerësim dramës satirë që mban firmën e dramaturgut Ferdinand Hysi. Në qendër të dramës satirë të dramaturgut Hysi, personazhet që janë të shtuar në spitalin psikiatrik janë me profesion, mësues, aktor, etj, pra intelektualë që kanë botën e tyre, por janë futur në psikiatri nga hallet që kanë. Të gjendur në këtë spital psikiatrik ata duan që të zenë pikat e spitalit psikiatrik, ta rregullojnë psikiatrinë, dhe këtë gjë ata e kanë shumë seriozisht. Megjithatë nuk dihet se kush janë të çmendur, ata që janë brenda në psikiatri apo ata që janë jashtë saj. “Unë aludoj në vepër, pra psikiatria është realiteti jashtë, ai që na rrethon”, pohon dramaturgu Hysi. Më 1995 drama “Tri mëndje në ankand” dhe ai vetë u prezantuan në javën e kulturës shqiptare zhvilluar në Francë. Në vitet 2010 dhe 2012, në edicionet e 9 dhe 10 të ETC (Europiean Theatre Convertation) është shpallur ndër 120 autorët më të mirë në Europë ( Of dhe 120 best contemporary) shoqëruar dhe me dramat përkatëse në anglisht referuese nga komiteti organizator: Në vitin  2011 me dramën “ Një Tabllo Aburde” dhe në vitin 2012 me dramën “Tri mendje në ankand”.

Leave a comment